Në vlugun e filmave për vjedhje spektakolare, në fillim të viteve 2000ta, na vjen edhe historia e Deni Oshënit, i cili me t’u liruar nga burgu fillon të përgatitet për t’ju kthyer zanatit të vjetër.
Menjëherë ai kontakton Rastin dhe nis të mbledhë skuadrën e tij prej 11 vetave, secili me profesionin e tij të duhur që do t’i kryejë punë në realizimin e planit të tij të çmendur – të vjedhë tri kazinotë më të mëdha në Las Vegas – diçka që nuk ka bërë njeri, është e pamundur, dhe mbi të gjitha i përkasin një mizori siç është Terri Benedikt.
Por, plani i Denit duket i zgjuar pasi do të ekzekutohet kur gjithçka është tollovi, kaos, gjatë një meçi të madh boksi, mu kur ka më së shumti para nëpër kasafortat e kazinove.
Bashkë me George Clooney në rolin kryesor, në rolet tjera vijnë Brad Pitt, Matt Damon, Julia Roberts, Bernie Mac, Casey Affleck, Don Cheadle, Carl Reiner, dhe Andy Garcia si Terri.
Këta emra janë njëra ndër arsyet kryesore pse filmi ishte aq i suksesshëm në të dyja planet, sidomos atë komercial, dhe që do të vazhdonte edhe me dy filma tjerë, dhe një “spinof.”
Aktorët të gjithë duket se kënaqen me rolet e tyre, e historia nuk është aq e freskët pasi një film i ngjashëm ka qenë realizuar rreth 40 vite më parë. Në rolin e regjisorit vjen Steven Soderbergh duke e bërë filmin të bukur edhe në aspektin teknik, sidomos në transmetimin e tensionit gjatë aksionit.
Megjithëkëtë, filmi duket të mos lodhet aq shumë në shtjellimin e ngjarjes sa në përfundimin e saj, dhe kjo mund të lë pak hapësirë më shumë për senzacion se sa thellësi në vetë procesin që kanë në plan 11shja. Film i mirë. Nota personale: 4/5

