Pas Evropës, sigurisht se nuk do të shkonin në Azi, e aq më pak në Afrikë, Deni Oshën me skuadrën.
Ata kthehen në Las Vegas ku nisin një hakmarrje ndaj një karakteri të ri në këtë botë, Uillit, i cili ka mashtruar njërin nga miqtë e tyre në një projekt madhor duke i lënë pasoja shumë personale.
Hakmarrja më e mirë ndaj tij është vjedhja, dhe për këtë Oshëni bën planin, si zakonisht të thuktë në detaje, me shumë të papritura, si dhe për t’i tejkaluar masat shtesë pas ngjarjeve në filmin e parë.
Ky film është më burrëror pasi mungojnë edhe Julia Roberts e Catherine Zeta-Jones. Këto dyja zëvendësohen me ardhjen e Ellen Barkin që bën punë të mirë. Në mesin e ardhjeve të reja është Al Pacino në rolin e Uillit, si një antagonist në nivel, ndonëse nuk mungon as Andy Garcia si Terri.
George Clooney, Brad Pitt, Matt Damon, Casey Affleck, Bernie Mac, Scott Caan, Carl Reiner, të gjithë kthehen në rolet e tyre.
Është një finale e mirë, në fakt me goxha punë të përkushtuar në skenar, ndonëse disi vërehet ajo lodhja e të njëjtës histori për neve si shikues, sidomos nëse i shohim të tre filmat sot, në maratonë, qoftë ditore a më e rrallë.
Megjithatë, trilogjia Ocean mbetet një seri e bukur e filmave, e mbushur me yje, mirë e përpunuar në të gjitha aspektet. Nota personale: 3/5

