Aq i mirë ishte filmi i parë për skuadrën e Oshënit sa që nevojitej të mblidhej e dyta.
Porse ishte një problem – nuk kishin mbetur më kazino për t’u vjedhur në Amerikë. Më saktë, nuk kishte mbetur më hapësirë që Deni Oshën dhe 11shja e tij të vidhnin nëpër Amerikë. Kjo nga fakti se i vjedhuri, Terri Benedikt kishte zbuluar ata që i kishin zbrazur kasafortat dhe tash kërkonte t’i kthenin paratë, edhe atë me interes.
Tri vite kishin mjaftuar për të shijuar këtë jetë skuadra, para se Benediktu t’i zbulonte dhe t’u siguronte një udhëtim nëpër Evropë.
Për të shpaguar dëmin e bërë, Deni rekruton edhe një person dhe nisen për në kryeqendrat evropiane – Amsterdam, Romë, Paris, me të njëjtin qëllim – për të vjedhur.
Pra, më shkurt, e kemi të njëjtin film, veçse tash nëpër Evropë dhe me një “motiv” tjetër.
Filmi është i bukur, përsëri, dhe mund të shikohet – ka strukturë, ka temë, si dhe ka freski me emra të rinj që vijnë në rolet kryesore. Mbi të gjitha ka fotografi të mrekullueshme, marr parasysh krejt qytetet e lokacionet që vijnë në film.
Steven Soderbergh bën punë të mirë si regjisor, e edhe historia është e mirë, me humor në dialog nganjëherë, dhe mbi të gjitha njërën ndër skenat më të bukura akrobatike në film nga Vincent Cassel që është njëri nga emrat e rinj në këtë film.
George Clooney, Brad Pitt, Matt Damon, Julia Roberts, Andy Garcia e të tjerët kthehen, bashkë me Catherine Zeta Jones që është prurje e re, derisa një numër i konsiderueshëm aktorësh kanë skena minimale si mysafirë.
Pra, është 11shi por në Evropë. I mirë. Nota personale: 4/5

