Jo, jo, qysh ja bën edhe Dr. Seuss te “ve të gjelbra me proshutë,” njëjtë edhe unë refuzoj këtë film, e gjithçka që ka të bëjë me këtë film në çdo mënyrë të mundshme!
Bazuar në novelën me të njëjtën emër, “One Day” sjell Deksterin dhe Emën, të cilët takohen më 15 korrik, pas diplomimit. Të dy vijnë nga dy familje të ndryshme shoqërore, dhe pas kësaj date, ata vendosin të mbeten “veç shokë.”
Ka shumë filma me këtë tematikë, dhe të cilët janë shumë më mirë të shtjelluar se sa ky, e sigurisht edhe me fund më të mirë.
Tash, kur një djalë dhe një vajzë janë “veç shokë,” shoqëria e sheh këtë si një mision të pamundur, të cilin përfundim unë e kundërshtoj dhe për të cilin pres të shkruajë në recensimin e një seriali, nëse do ta bëjë ndonjëherë, dhe medoemos ata do të përfundojnë në dashuri, dikur, sipas shoqërisë.
Problemi im me këtë film është se Ema, një vajzë “përtokë,” e mençur, e urtë duhet të shërbejë si “psikologe pa pare” për një lazdran si Deksteri, i cili siç ia bën populli te ne “është çu peshë prej të mirave.”
Dhe, më e keqja është që ka çika që e adhurojnë këtë film, i cili tregon shumëçka për karakterin e tyre, ndoshta, (e kam adet të paragjykojë njerëzit, shpesh padrejtësisht, nga shija e tyre në filma) dhe atë qasjen “e ndreqi unë,” e në fund bëhet bërllok!
Bërllok është edhe ky film, i cili nis mirë, ëmbël, por pastaj përqendrohet veç te tekat e Deksterit, i cili kurdo që “nuk merr atë lodrën e preferuar,” vjen të qajë te Ema, e cila i ka punët 100 herë më keq.
Anne Hathaway e Jim Sturgess kanë harmoni të mirë skenike, edhe fotografia është e mirë, por tema është bërllok. Veç aktrimi që e shpëton këtë film, duke e bërë mesatar. Nota personale: 3/5

