Oppenheimer (2023)

Oppenheimer (2023)

Komunizmi nuk është temë e lehtë për t’u trajtuar para publikut amerikan, e pse jo edhe global!

Përgjatë tri orëve, Christopher Nolan provon të mbyllë të gjitha vrimat që do të mund të linin mbrapa gjëra kontroverse, derisa synon të sjellë të gjitha pikat dhe momentet kryesore të jetës së Robert Oppenheimer.

Kjo, mendoj që na i çon “kot” pothuajse gjysmën e parë të filmit.

Skenat janë shumë të shkurtra, dialogët pothuajse minimal, dhe duket sikur je duke shikuar një film gjersa po vrapon, në ngutje!

Krejt kjo me qëllim që të sjellë një pasqyrë sa më të detajuar, sa më plotë të jetës së mëparshme të Robet Oppenheimer, për të arritur e kaluar më shumë kohë te momenti që të gjithë e presim. Nejse, të gjithë që dinë sado pak histori! (se dikush ankohet për spoiler masanej)

E dimë që Nolan është edhe rrëfyes i shkëlqyeshëm i një historie, e edhe shumë ‘piktor’ i asaj historie. Këto i kemi të dyja, veçse mendoj që po të ishte në dy pjesë (që s’do të kishte sukses), apo në katër orë, do të ishte film edhe më i kompletuar, edhe më madhështor. (për dallim prej Scorseses, këtë do ta shihja edhe nja një orë e më tepër)

Kjo pasi që filmi shkëlqen në të dyja pjesët që po i ndaj, ndoshta ehe padrejtësisht.

Nolani nuk le gjë pa përmendur së paku sipërfaqësisht nga jeta private e Oppenheimer, si dhe periudhën e afirmimit të tij si fizikan duke sjellë edhe karaktere tjera si Bohr e Ajnshtajn. Pastaj jetën e tij romantike, me detaje që ndonjë tjetër edhe nuk do t’i kishte përmendur fare.

Dhe pastaj kalojmë te ajo ku Nolan shkëlqen, përgatitjet finale për zhvillimin e bombës së parë atomike.

Peshimet, pasojat, politikën, mospajtimet, gjithçka vijnë, me ritëm të përshtatshëm, para se Nolani të bëjë atë që e bën më së miri – ndërtimin e tensionit dhe…

Cillian Murphy është i përkryer në rolin e Oppenheimer. Që nga momentet e jetës së tij më të hershme studentore, deri te dëshmia para komitetit. Robert Downey Jr, bën punën e tij, ashtu si Matt Damon, e Emily Blunt. Por, është filmi i Murphyt ky!

Filmi i Nolanit, i cili sjellë në një mënyrë adekuate historinë e njërit nga emrat më kontrovers të historisë së njerëzimit, për dikë hero e për dikë vrasës. E për dikë komunist, që është më keq se vrasës?!

‘Oppenheimer’ nuk dëshpëron, por ndoshta po të ishte vetëm pjesa e dytë, sikur ‘Dunkirk’ do të ishte njëra ndër kryeveprat e Christopher Nolan. Ndoshta ta shohim nga mesi? Nga fillimi, nga mesi, mbetet film fantastik. Nota personale: 5/5