Paper Moon (1973)

Paper Moon (1973)

Është viti 1936, dhe në një vend të Kansasit, disa veta po kryejnë ritualet e fundit të një gruaje, pranë të cilëve qëndron e bija e saj, tash jetime, Edi. Një shitës biblash, që më shumë ngjan në mashtrues, Moze, pajtohet të dërgojë Edin në Mizuri, aty ku qëndron tezja e saj.

Por, shumica besojnë që Moze në fakt është babai i saj, por ai e refuzon këtë me çdo kusht.

Në këtë rrugëtim, Moze dhe Edi do të krijojnë një harmoni, një miqësi që ua kalon edhe shumë lidhjeve që kanë baballarët me të bijat, ndonëse kjo fillon me kërkesën e Edit që Moze t’i paguajë borxhin pasi ka përfituar nga vdekja e nënës së saj, sipas saj.

Kjo aventurë, derisa dyshja përballet me lloj-lloj situate e personi, vetëm sa bën t’i duash më shumë të dy karakteret, mbi të gjitha efektin që kanë në njëri-tjetrin, duke arritur të të bëjnë për vete, ndonëse më thellë mbetesh në lajthitje nëse vërtet duhet të jesh në anën e tyre.

Tatum O’Neal në rolin e Edit sjell një karakter fëmije të pjekur më shumë se që mund të pritej për moshën e saj. Aktrimi i saj është fenomenal, i pashoq, dhe sjell njërën nga paraqitjet më të mira që sjell edhe njërin ndër Oskarët më meritor në histori.

Përkrah saj, vjen babai i saj në jetën reale, Ryan O’Neal, dhe ndoshta kjo mund të jetë njëra ndër arsyet shtesë që dyshja shkëlqen në portretizimin e karaktereve në fjalë, por prapë, siç e thashë, ka shumë baballarë e të bija që nuk kanë një harmoni aq të mirë në jetën reale, sidomos në popullin tonë.

Peter Bogdanovich bën regjinë fantastike, sidomos me pjesën e tretë të filmit, e edhe më të veçantë e bën fakti që xhirohet në bardhë e zi, për t’u përshtatur me atmosferën depresive që ishte në Amerikën e viteve ‘30ta të shekullit të kaluar.

Filmi është emocional, në disa momente mund të jetë edhe pak depresiv, por megjithatë, është njëri nga filmat me dyshen më të mirë të aktorëve në rolet kryesore. Nota personale: 5/5