Peter Rabbit (2018)

Peter Rabbit (2018)

Në një fshat në Angli, Piteri jeton me motrat e tija trinjake, Flopsi, Mopsi, edhe Bishtpambukja, dhe kushëririn e tyre Benxhaminin. Tërë ditën, këta lepuj sillen në bahçen e z. MekGregor, të cilit i vjedhin perimet si hakmarrje për vrasjen dhe ngrënien e babit të tyre.

Në luftë me plakun MekGregor, lepujt mbështeten te Bea, një grua zemërbutë e cila kalon kohë duke pikturuar natyrën dhe lepujt. Jeta është e mirë deri kur Piteri bie në kurthin e plakut, i cili në atë çast pëson sulm dhe vdes. Kjo shtyn stërnipin e tij, Tomasin, të lë Londrën për t’u kujdesur për fermën e gjyshit të tij.

Filmi është njëri nga realizimet më të mira të këtij zhanri që përfshinë kafshë që flasin në një film jo-të vizatuar, në një botë reale. Animacioni/realizimi i tyre është i bukur, përshtatet me rrethinën, dhe njëjtë janë të inkuadruar në komunikimin me aktorët e filmit.

Rose Byrne vjen në natyrën e saj të këndshme, të dashur, si karakteri i saj, e shoqëruar me lepujt. Përballë tyre është Domhnall Gleeson, i cili njashtu përshtatet me karakterin e tij neurotik, derisa adaptohet në jetën katundare.

Zërimi i lepujve është i mirë, dhe mund të injorojmë faktin që injoranti James Corden është në zërin e Piterit. Tjerët janë më mirë, shumë më mirë.

Përkundër kësaj, “Peter Rabbit” mbetet një film i dashur për fëmijë, dhe i përshtatshëm për të rritur pasi ka elemente për t’i kënaqur të dy audiencat. Nota personale: 4/5