Filmi i fundit i trilogjisë së Piratëve të Karaibeve nën Gore Verbinskin fillon në mënyrë të përkryer, mbaron edhe më mirë.
“Në fund të botës” është një mbledhje e të gjithë karaktereve kryesore të këtyre filmave, fati i të cilëve zgjidhet për mrekulli, për secilin, përfshirë edhe pjesën pas filmit.
Prej “Hoist the Colours,” te organoja e zemra e Davy Jones, muzika e bën këtë film edhe më drithërues, më emocional, duke i dhënë një melodi filmit që të kujton skenat gati edh dy dekada pas debutimit.
Pas skenës së parë të varjeve, filmi kalon në ujërat e Singaporit ku nuk dihet kush çka po kërkon e kë po sulmon!
Me të marr hartat, Barbosa me skuadër nisen për fundin e botës sepse sado që i plasë nervat atyre Xheku, prapë iu nevojitet tash, bashkë me “Perlën e Zeezë.”
Rruga për aty, si krejt filma sjell disa nga fjalitë më të “thella,” të cilat kombinohen me veprimet komike të pjesës tjetër të kastit. Në një moment ke një fjali të thellë të dikujt që nuk e pret, e menjëherë më pas ndodh diçka komike dhe bizare. Është kjo që i bën “Piratët e Karaibeve,” së paku tre filmat origjinal, nga trilogjia më e mirë në histori të filmit.
Skenari e regjia janë fantastike, por aktrimi është ajo që e bën këtë film legjendar. Johnny Depp vetë s’do të mund të bënte gjithçka (siç e kemi vërejtur më vonë në filmat tjerë) pa emra si Keira Knightley, Orlando Bloom, Geoffrey Rush, e i papërsëritshmi Bill Nighy në rolin e Davy Jones.
“Në fund të botës,” është finale e merituar për fansat e Piratëve të Karaibeve, film që shkëlqen në çdo pjesë. Ndër filmat më të mirë ndonjëherë. Nota personale: 5/5

