Në atë që fillon si një rrëfim familjar në det, disa minuta më vonë kthehet në një komedi me prezantimin e piratit që do të ndryshojnë historinë e filmit.

Kapiteni Xhek Sparrou zbarkon në port me varkën e fundosur për të cilën i paguan rreshterit të “Allo, Allo,” plotë tre shilinga veç që ta fshehë emrin e tij. Në kërkim të hakmarrjes dhe anijes që i kanë vjedhur, Xheku ka nevojë për aleatë dhe anije.

Për krejt këto, është një rrugë, dhe ajo quhet Elizabetë Suon, e cila pavetëdijshëm kthen në gjah për medaljonin e humbur skuadrën e Barbosës, hasmit kryesor të Xhekut.

Derisa Xheku sfidon fizikën dhe bën njërin nga veprimet më dinake që mund të shohim në sigurimin e anijes, pas krejt këtyre dhe pjesëve tjera komike, vjen errësira e natës dhe historia e mallkimit të vërtetë të Perlës së Zezë.

Si produkt arti, filmi i parë i Piratëve të Karaibeve është një hyrje fenomenale në atë që do të bëhej njëra nga trilogjitë më të dashura për shumëkë. Është një ambient e temë e veçantë, në rolet kryesore vijnë aktorë të shquar e që zotërojnë karakteret e tyre për mrekulli, duke shkuar edhe te një harmoni të përkryer mes tyre.

Johnny Depp, Orlando Bloom, Keira Knightley, e Geoffrey Rush janë të mrekullueshëm në rolet e tyre, por gjithçka është punë e Gore Verbinskit, për të cilin ky do të ishte vetëm i pari në njërën nga trilogjitë më të mira filmike.

Mund të them se fundi është pak i pakënaqshëm, por pjesa tjetër është në pikën më të lartë. Nota personale: 5/5