Filmi i dytë i “Piratëve të Karaibeve,” mund të quhet si filmi i Johnny Depp, me krejt vëmendjen të përqendruar në të, si në asnjë film tjetër të franshizës.

Vëmendja mbi të është edhe nga Davy Jones, i cili qysh në fillim e vë në cak me mesazhin nga Bill Turner, historia e të cilit merr fytyrë tash duke krijuar një rrëfim anësor në film që përqendrohet në Uillin, të cilin e gjejmë në një situatë më ndryshe edhe para Xhekut.

Në urë për te finalja e Verbinskit – regjisorit të trilogjisë origjinale, “arka e të vdekurit,” është prezantim me errësirën e historisë së Piratëve të Karaibeve, e cila veç çka shkon e bëhet më e frikshme para një finaleje madhështore në filmin e tretë.

Kjo errësirë kombinohet për merak me momente qesharake të komedisë fizike nga ishulli i “kingkongut” ku shohim Xhekun të adhuruar nga lokalët të cilët i ofrojnë shpëtim duke e djegur, deri në Tortuga, e te rikthimi i tij në xhungël.

E veçanta e këtij filmi është karakteri i Davy Jones, i preferuari im në krejt këtë seri, dhe mënyra si ndërtohet ai, nga kureshtja që ofron Billi në fillim, deri te paraqitja e tij fillestare e pastaj organoja që është ndër pjesët muzikore më të çmendura në film, art, që bashkë me paraqitjen vizuale të Davy Jones është një shëmbëlltyrë e përkryer e punës që ka bërë Gore Verbinski.

Nuk do të gabonim po ta vendosnim Verbinskin përkrah Peter Jacksonit dhe punës që bën te trilogjia e “Lord of the Rings,” ndonëse “Piratët e Karaibeve,” është film krejt ndryshe, si shaka në krahasim me trilogjinë e Tolkienit. Por, në vete, është film, trilogji e përkryer, një rrëfim senzacional, që për 2 orë sjell ngjarje sa të duken që ke kaluar 2 ditë duke e shikuar një film.

Aq shumë të përmbushë historia, paraqitja vizuale, realizimi teknik sa që tërhiqesh në një botë që të ndreq verën. Është i përsosur në çdo aspekt. Nota personale: 5/5