Pas krejt përrallave me princesha, Disney kishte vendosur të bënte një film që bazohej në një figurë të vërtetë historike, ndonëse si zakonisht, historia do të përshtatej me interesat e producentëve, me arsyetimin për të gjetur audiencë më të gjerë, e që në fakt mund të kontestohet si i tillë.
Historia e Pocahontasit bazohet në fillimin e shekullit XVII kur në Virxhinia ishin vendosur të ardhurit e parë nga Anglia.
Kjo ngjarje kishte shtyrë një vajzë të ndiqte kureshtjen më shumë se sa fjalët e babit të saj, njëherë shefit të fisit të tyre vendas, Powhatan. Në këtë drejtim ajo takon Xhon Smithin, kapitenin e të ardhurve që del të jetë larg fjalëve të familjarëve të saj.
E vendosur në mes të dy zjarreve, Pocahontas do të sfidohet të zgjedhë mes historisë faktike dhe intuitës së saj.
Filmi është i bukur, vizualisht, me një vizatim që të merr zemrën dhe syrin. Ka edhe muzikë të mirë, por krejt këto nuk anashkalojnë historinë dhe ndërhyrjen e Disney në këtë film. Kjo mund t’i shkojë nerva të rriturve, prindërve, që mund të shikojnë këtë film me fëmijët. Por, për fëmijët është fenomenal.
Mel Gibson është në rolin e Xhon Smith, derisa zëra më pak të njohur u japin jetë karaktereve tjera, por që bëjnë punë të mirë nisur nga Irene Bedard si Pocahontas. Është një harmoni e bukur si me zë, si me animacion ndërmjet këtyre dyve, që mbeten si të huaj në botën e tyre me zhvillimin e ngjarjeve.
Është film i mirë për t’u parë, por pak ngec në zhvillimin e historisë, edhe ashtu të “dyshimtë.” Nota personale: 2/5

