Me njërën nga skenat më të “çarta” në film, që pas vete ka një histori interesante, filmi i parë për aventurat e Indiana Xhons edhe sot mbetet në kujtime si një fillim i një serie që gjithmonë të mbanë të lidhur me filmin, nga fillimi deri në fund.
Është fakti që vazhdimisht gjithçka ndodh, pa ndërprerje, dhe çdo skenë pothuajse është një luftë e Indit kundër kurtheve dhe armiqve të paparë në misionin e tij që është gjetja e një artefakti biblik që premton forcë të madhe për poseduesin e tij. Në këtë gjah, ai përballë ka armiqtë, që në vitin 1936 kërcënonin të ishin shfaruesit e një civilizimi të tërë.
Në këtë udhëtim, ai do të bashkohet me dashuri të vjetra, e bashkëpunëtorë të rinj që nuk mbushin sy, por dalin të jenë më të dobishëm se një armatë e tëre ushtarësh.
Harrison Ford është i shkëlqyeshëm në rolin e Indianës, një arkeolog të cilit i zënë udhën pengesat e papritura ndaj të cilave ka një qasje sikur ajo skena kundër shpatarit në tregun e Kairos, e cila nuk ishte në skenar, por Ford thuhet se kishte qenë shumë i lodhur për një betejë të vërtetë, kështu që…
Karen Allen vjen në rolin e Marionës, John Rhyx-Davies në rolin e Sallahut, e përballë tyre, Paul Freeman si Rene Belloq. Të gjithë shërbejnë mirë si karaktere dytësore në aventurën e Fordit, i cili bën shumicën nga skenat më legjendare në film, e të cilat kërkojnë angazhim të madh fizik.
Pas kamerës është Steven Spielberg si regjisor me skenarin e Lawrence Kasdan, me idenë nga George Lucas, e muzika vjen nga i mahnitshmi, John Williams – një kombinim emrash që garanton një super-film për fund, edhe çfarë është në fakt.
Njëri nga filmat më të mirë aventurë që do të bëhej inspirim edhe për videolojëra e filma të njohur që do të pasonin dekada më vonë. I përkryer për këtë zhanër. Nota personale: 5/5

