Rambo (1982)

Rambo (1982)

Edhe kur është zgjidhja e fundit, lufta duhet të evitohet sa më shumë si zgjidhja e fundit! Këtë e them si fëmijë që e ka përjetuar luftën, e edhe si i rritur që ka përjetuar 25 vite liri në një vend pa shtet!

Edhe më keq ndihen veteranët e vërtetë të luftës, të cilët sot duhet të barazohen e të nënçmohen nga legenë të ndryshëm që përfitojnë pension mujor në shpinën e dikujt që ka rrezikuar gjithçka për të sjellë lirinë e vendit, e cila edhe 25 vite më vonë e poshtëron atë duke shpërblyer për sakrificën e tij së paku dy-tre veta që nuk kanë prishur gjumin!

Këtë mllef më së miri mund të nxjerrin me filmin e parë të Rambos.

Si veteran i Luftës së Vietnamit, Xhon Rambo mëson se të gjithë bashkëluftëtarët e tij kanë vdekur, dhe niset në kërkim së të fundit. Kur mëson fatin e tij, rrugës ai ndalohet nga një sherif, i cili nuk e do “llojin e tij” të bredhë nëpër qytet.

Pasi përcillet deri në kufi të qyteti, Rambo kthehet në qytet ku arrestohet dhe fillon të torturohet nga njerëz që nuk e kanë idenë me kë janë zënë.

Ajo çfarë pason është mbijetesa e Rambos në pyjet e shtetit të Uashingtonit kundër forcave të rendit, të cilat për krenarinë e kotë të një kalaveshi që ka ngrënë tullumba derisa Rambo ka luftuar, kërkojnë të likuidojnë këtë të fundit.

Është fillim i mirë i një serie filmash që sjellin Sylvester Stallonen në një hapësirë më ndryshe, por me një karakter goxha të ngjashëm me Rokin. Është një “shfryrje” edhe për shikuesit, sidomos ata që ndërlidhen me paragrafin e mësipërm. Nota personale: 4/5