Reds (1981)

Reds (1981)

Janë disa emra që kanë shumë bujë e famë në Hollywood, por për të cilit është zor të gjejmë një arsyeshmëri mbrapa krejt kësaj zhurme.

Njëri ndër ta, Warren Beatty!

I njohur si producent, aktor, regjisor, skenarist, pilot, e gjithçka tjetër ekstreme në jetën private dhe profesionale, Warren Beatty mbetet disa nga emrat që çmendin këdo që punon në Hollywood, por, për neve që jemi larg kësaj industrie, dhe e përdorim vetëm si “konsumatorë,” kjo mbetet e çuditshme.

Te “Reds”, film që vonon 3 orë e kusur, Warren Beatty sjell historinë e Xhon Silas, një gazetar i cili në vitet e hershme të shekullit XX provon të sjellë diçka radikale në Amerikë, falë idealizmit të tij i cili e shtyn në anën tjetër të globit, apo në kojshillëk, varësisht nga cila anë e hartës e shikoni.

vigjilje të Revolucionit të Kuq, nga edhe vjen emri, Xhon fillon të interesohet për marksizmin si politikë dhe bashkë me artistë, aktivistë, e radikalë, fillon të organizojë ndejat e para të kësaj politike. Për të mësuar më shumë, ai udhëton në Rusi gjatë revolucionit të vitit 1917, ku përfshihet në politikën bolshevike duke takuar emrat kryesorë mbrapa këtij revolucioni.

Ndërmjet përhapjes së kësaj ideje edhe në SHBA, dhe ëndjes për të shijuar këtë revolucion në Rusi, ai mbetet mes dy zjarreve pa arritur të ndajë kokën nga zemra.

Filmi është shumë i gjatë, dhe i mërzitshëm.

Kësaj më së shumti i ndihmon fakti që përgjatë filmit kemi shumë “ndërhyrje” që e bëjnë të duket më shumë si dokumentar me persona që japin historinë e tyre për ngjarjet dhe karakteret që luajnë në film.

Pra, është edhe film edhe komentim, dhe kjo vetëm të shpërqendron, të humb nga tema, edhe të humb kohë. Është mrekulli nëse ke 20 minuta pa ndërhyrje, aq më pak nga fillimi.

Warren Beatty luan rolin e gazetarit, Diane Keaton është ajo gazetarja që mahnitet nga idealizmi i tij dhe e ndjek edhe ku nuk duhet, e Jack Nicholson, Maureen Stapleton, e Gene Hackman janë në mesin e karaktereve dytësore.

Sot, është humbje kohe. Ndoshta atëherë, në Luftën e Ftohtë ka qenë një propagandë e mirë. Nota personale: 2/5