Rocky II (1979)

Rocky II (1979)

Rocky II është më shumë romancë se sa që mund të jetë Die Hard film festash!

Krejt historia e Roki Balboas është më shumë romancë e histori familjeje se sa një film për një boksier i cili tejkalon gjithçka për të arritur në majat e suksesit në mënyrë të ndershme falë punës dhe sakrificës.

Pas historisë fillestare te filmi i parë, që shihet si një ndër sukseset më të mëdha komerciale dhe kreative, vazhdimi i dytë i Rokit është edhe më i mirë.

Filmi, si pak vazhdime fillon pas ndeshjes me Apollon, ende të freskët, me grindjen e tyre verbale në hollin e spitalit, ku përkundër nxitjes dhe joshjes për të vazhduar karrierën si boksier, Roki mban premtimin e dhënë Adrianës – është pensionuar.

Për një çift që vjen nga një jetë e thjeshtë, Roki dhe Adriana fillojnë të shijojnë jetën, porse pensionimi nuk i shkon si duhet, dhe me ndryshimet në jetë, Roki mendon që t’i kthehet profesionit të vjetër, dhe rimeçit me Apollon.

Përsëri në regji e skenar të vetë Sylvester Stallones, i cili i bën edhe skenat kryesore, “Rocky II” del si një film i përkryer, i denjë si vazhdim i filmit të parë, duke ruajtur origjinalitetin e historisë dhe vetë karaktereve.

Pos këngës legjendare që ende sot simbolizon fitoren dhe na kujton Rokin, filmi ka edhe disa nga skenat më të mira në film kur kemi Rokin rrugës nëpër lagje, e mua më fiton qysh në pjesën e parë kur kemi Rokin dhe Adrianën krahë për krahë nën borën që resh.

Ndoshta vazhdimi më i mirë i një filmi të përkryer edhe sot mbetet “Rocky 2.” Fenomenal në çdo aspekt. Nota personale: 5/5