Në mesin e komedive policore me atë qasjen “good cop, bad cop,” seria e filmave “Rush Hour” mbetet në kujtime për disa skena legjendare, gjithmonë pasuar nga skena e “përemrave” në filmin e dytë.
E te filmi i parë, pak para shkëmbimit të pushteti mbi Hong Kongun, inspektori Li (Jackie Chan) fillon një aksion për kapjen e një shefi krimi, mision në të cilin dështon pjesërisht.
Disa muaj më vonë, e bija e mikut të tij, tash konsull në Amerikë, rrëmbehet, dhe Li duhet të udhëtojë në Los Anxhelos për të gjetur të bijën e mikut.
Aty e pret detektivi Xhejms Karter (Chris Tucker), një tip si policët nëpër lojërat e GTA-së, të cilët djegin krejt qytetin për të të zënë për një kundërvajtje të thjeshtë.
Me karaktere të ndryshme, dhe Xhejmsin gjithmonë i ndier në pozitën superiore, përkundër që Li është më i zellshëm edhe në punë, edhe në artet marciale.
Gjatë kësaj aventure kemi shumë momente qesharake të cilat vijnë kryesisht nga dallimet e karaktereve të Li dhe Karter, dhe si zakonisht aftësitë e Jackie Chan në artet marciale të cilat veprime i japin një shtresë shtesë komedisë në këtë film policor.
Nuk guxojmë të mohojmë as aftësitë e Chris Tucker si në llafet e shpejta, si në atë mishërimin e karakterit dhe tentimit për të shfaqur epërsinë e tij kombëtare ndaj karakterit të Jackie Chan.
“Rush Hour” mbetet njëri ndër filmat më të veçantë në këtë zhanër, ndonëse komedia sot mund të duket pak si “boshe.” Nota personale: 3/5

