Shabani i biri i Shabanit është njëri ndër filmat më komik turk me Kemal Sunal në rolin kryesor.
Si një ushtar fillestar, bashkë me shokun e tij më të ngushtë, Ramazanin, Shabani bëhet “taksirati” i komandantit Hysametin!
Fillimisht, i ngarkuar me detyrën për të shkuar në kampin armik për të rrëmbyer komandantin, Shabani humb rrugën duke përfunduar në tendën e Hysametinit. Komandanti do të ketë probleme me ushtarin e tij edhe gjatë patrullës së natës, që është një ndër skenat që po më ra në mendje në momentet më serioze do të më bëjë të qesh si budalla!
Pos ushtrisë, komandanti do të përballet me Ramazanin e Shabanin edhe në jetën private, ku këta dy do të shkojnë si agjentë të fshehur për të zbuluar sekretin e familjes së pashës. Si fëmijë, çdo person me veshje “burka” më ka bërë të mendoja se pas tyre mund të jenë Shabani dhe Ramazani!
E larg ushtrisë, nga rrëzimi prej dritares, synetia, hallakatja për diamantin, keqkuptimet me pashain që nuk dëgjon mirë, përballja me Eshref kapadaiun, dashuria për Selmën e Nigaren, e deri te synetia, skenat komike nuk ndalojnë.
Harmonia skenike mes Kemal Sunalit e Halit Akçatepes është fenomenale, por edhe më e çmendur është armiqësia që kanë me Shener Shen, pa të cilin Shabani s’do të ishte legjenda e filmave komik që është sot.
Pa ndonjë filozofi në vete, Sabanoglu Saban është film që të bën të qeshësh me çdo akt. Nota personale: 5/5

