Scary Movie 3 (2003)

Scary Movie 3 (2003)

Me largimin e Wayansëve dhe me ardhjen e David Zucker në rolin e regjisorit, Scary Movie merr një drejtim krejt tjetër në filmin e tretë.

Është një qasje pak më e “pjekur,” më e “zgjuar,” e kësaj i ndihmojnë edhe filmat që thumbojnë, dhe ardhja e emrave të njohur në botën e komedisë, nisur nga i pakrahasueshmi Leslie Nielsen.

Por filmi nis me Pamela Andersonin si njërën prej dy biondeve, për të kaluar tek OG biondia, Anna Faris që kthehet në rolin e saj bashkë me Regina Hall.

Filmi është i mirë nga fillimi deri në fund, nga paraqitja e nënës në telefon, unazat e televizorit dhe jo vetëm, e deri te fundi kur mësojnë për mënyrën e përshëndetjes dhe urimeve!

Ndërmjet krejt këtyre është Charlie Sheen si bukuroshi i asaj kohe në rolin e pastorit me stilin e Çarli Harper, i cili vjen me gruan e tij, Denise Richards, në rolin e gruas së tij, Anthony Anderson si neurotiku, dhe Simon Rex në rolin e Xhorxhit duke thumbuar njërin prej filmave më të dashur për mua, 8 Mile.

Dhe pastaj, Leslie Nielsen, legjenda e filmave komedi vjen për t’i dhënë yllin pesëshes së filmit, duke e bërë këtë film, të tretin, më të mirin në krejt serinë e filmave të serisë Scary Movie. Nota personale: 5/5