Scent of a Woman (1992)

Scent of a Woman (1992)

Dorën e ka pasur të bardhë, si bora, që po ta puthje do të shkrinte buzët tua. Sytë bojëkafe, apo të gjelbër, ndoshta edhe të kaltër, sepse sa herë që e shikoja, humbisja në ta, dhe shihja ëndrrat e mia, nga të cilat më zgjonte vetëm zëri i saj si një ninullë dashurie.

E aromën…

Nuk vendoste parfum, por edhe kurrë nuk vinte erë djerse, ishte një aromë e përkryer, që gati edhe dy dekada më pas mbetet si një kujtim i atyre që i quajmë “dashuri gjimnazi,” e që janë larg dashurisë së vërtetë të cilën e ndjekim tërë jetën, ashtu si përkundër të gjitha që i kanë ndodhur në jetë, pret veterani i luftës së Vietnamit, Koloneli Frenk Sllejd.

Me të gjitha rolet e tija si burrë i fortë, të cilit i frikësoheshin të gjithë që i dëgjonin vetëm emrin, e lëre më t’i nuhasnin erën, Al Pacino, si për ironi, fiton Oskar për rolin e një veterani që pos mentor i një nxënësi, mbi të gjitha është përshkrues i aromës së gruas.

Aq mirë, aq përkryer e përshkruan dashurinë për krijesën më gjeniale të Zotit, gruan, e cila është burim i jetës me plot kuptimin e fjalës, sa që të bën të biesh në dashuri me kujtimet e viteve më para, me aromën të cilës nuk ia kalon dot asnjë edhe sa kohë më pas, aromë e cila është zhdukur shumë vite më parë pa asnjë ide se kush e nuhat tash, malli për të cilën ende ndjek kolonelin.

I mbushur me monologë, e me dialogë me Çarlin, një student bursist në një shkollë të veçuar, i cili ngarkohet me detyrë të kujdeset për kolonelin, të cilit i ka humbur shikimi, një detyrë që do t’i ndryshojë jetën e tij.

Është një lidhje e veçantë që nxjerr historitë e jetës së kolonelit, të cilat vijnë me emocione superiore nga Al Pacino, por shumë të këndshme janë edhe bisedat që ka koloneli me Çarlin, të cilat luhaten nga këshilla për jetë nga historitë e kolonelit, në thumbime e shaka të cilat nisen edhe nga Çarli.

Bazuar në një vepër me një titull po aq intrigues “Errësirë dhe mjaltë,” “Scent of a Woman,” është një biografi jete, më shumë se një rrëfim romance me njërin nga fjalimet dhe vallëzimet më të famshme në histori të filmit.

Aktrimi i Al Pacinos është historik, fenomenal, i papërsëritshëm. Nota personale: 5/5