Sense and Sensibility (1995)

Sense and Sensibility (1995)

Është ironike që ngjarjet e shtjelluara në veprat e Jane Austen shpesh portretizojnë pozitën e gruas në shoqërinë e Anglisë së shekullit XVIII gati në të njëjtën pozitën me gruan shqiptare sot, 200 vite më vonë, e nganjëherë edhe në pozitë më të mirë se sot.

Ndër këto histori është ajo në veprën “Sense and Sensibility,” që tregon historinë e familjes Dashvud pas vdekjes së kryefamiljarit. Me të mbetur pa të hyra dhe në rrugë pasi që pasuria i takon të birit të z. Dashvud nga martesa e parë, zonja Dashvud dhe të bijat duhet të gjejnë një strehë mbi kokë dhe një të ardhme të sigurt.

Në krejt këtë tollovi, Elinora dhe Mariana fillojnë të shikojnë për burrë, por me këndvështrime të ndryshme për jetën dhe dashurinë, me arsyeshmërinë dhe emocionet që bien në udhëkryq.

Aktrimi i Emma Thompson, që bën edhe skenarin, mund të duket pak jashtë karakterit të librit, por Kate Winslet në rolin e Marianës shkëlqen fund e krye. Por edhe emra tjerë si Alan Rickman, Hugh Grant, Tom Wilkinson, Imelda Staunton, janë në krye të detyrës duke e bërë këtë film si njërin me talentet më të mëdha britanike në ekran të madh.

E Ang Lee në regji adapton për ekran të madh historinë duke devijuar paksa nga kohështrirja e romanit, porse filmi ka ngjyra e kostumografi që të bën të ndihesh se njëmend po jeton në periudhën në të cilën trajtohet ngjarja.

Përkundër kësaj, ky film mbetet njëri nga adaptimet më të mira filmike të kësaj historie, me një listë të aktorëve të talentuar, dhe një punë të shkëlqyer teknike. Nota personale: 4/5