“Bota është vend i mirë, dhe ia vlen të luftohet për të.”
Në rilindjen artistike të David Fincher, Morgan Freeman luan një rol detektiv një javë para pensionimit, të cilit për koleg i vjen Brad Pitt, në fillim të karrierës së tij si detektiv, dhe më kryesorja si aktor i talentuar, jo vetëm një fytyrë e bukur për të qenë i dashuri i Rejçëll Grin.
Seven është ndër filmat me skenarin më të përkryer ndonjëherë duke bërë një rrumbullakim të temës dhe shtjellimit të saj në mënyrë të mahnitshme, me njërin nga fundet më të mira në film.
Filmi nxjerr gjithçka nga ajo që premton – nga emri që lidhet me shtatë mëkatet vdekjeprurëse, të cilat vijnë në formë të përshkruar shkëlqyeshëm, nga antagonisti kryesor i filmit, i cili shfrytëzon mesazhin e tij për të “zgjuar” njerëzimin nga llumi në të cilin kanë rënë.
Harmonia skenike e Morgan Freeman si detektivi Somerset me Brad Pittin është e përshtatshme për çiftet e zakonshme në film “polic i mirë, polic i keq,” por edhe më e veçantë është lidhja e Freeman me Gwyneth Paltrow e cila luan rolin e gruas së detektivit Mills (Pitt).
Edhe më të dashur për mua këtë film e bën një ngjasim me zhanrin e një filmi noir me disa skena zymtësie që përshtaten me temën që shtjellohet, derisa zgjuarsia e skenarit është ndoshta pjesa më e mirë e këtij filmi, që nuk provon të krijojë një distancë me shikuesin për t’u shitur si një enigmë që ka nevojë të zbërthehet pasi të kryeni filmin, por gjithçka është vetëm një aventurë drithëruese që zgjat pak më shumë se dy orë.
Është ndër filmat më të kompletuar triler, me skenar e aktrim fenomenal, përfshirë edhe emrat që nuk përmenda. Nota personale: 5/5

