Seven Chances (1925)

Seven Chances (1925)

Ndoshta po të na motivonte dikush neve sikur Xhimin, i cili duhet të martohet deri në ora 7 në mbrëmje në ditëlindjen e tij të 27të nëse dëshiron të trashëgojë 7 milion dollarë nga një familjar ekscentrik, edhe ne do të martoheshim.

Por, ja që jeta nuk është film, pos nëse e bën vetë, e edhe familjarët tanë kryesisht janë asi që të marrin më shumë se që të japin. E edhe nëse bëhen dasmë, më shumë vijnë të gjykojnë se çka nuk shkoi mirë, se sa të gëzohen njëmend për ahengun tënd.

Pasi kupton kushtin, Xhimi i propozon të dashurës së tij, Merit, por harron dhe ia përmend arsyen e propozimit. Ndonëse ka vite/stinë që ka qenë i dashuruar në të, Meri fillon të dyshojë.

Tash, Xhimit i mbetet të gjejë medoemos një grua deri në ora 7, dhe kur mësojnë arsyen e ngutjes së tij, qindra gra i lëshohen për t’u martuar. Por, zemra do çfarë zemra do, në këtë rast, Merin.

Pjesa e parë e filmit, që nuk i ka asnjë orë, është pak më e ngathët, më e qetë, më shumë ngjan në një romancë të heshtur (me plot kuptimin e fjalës), më të qetë se filmat e zakonshëm të Buster Keaton.

Megjithatë, me kalimin e kohës, Keaton futet në element me skeçet dhe aksionin e tij të zakonshëm, nga përndjekja deri te ikjet e tij, ndër më të famshmet në ekran të madh gjatë karrierës së tij.

Kur hyn pjesa e komedisë fizike, të cilën Keaton gjithmonë e ka pasur anë të fortë, edhe filmi merr kuptim dhe shije.

Për ata që nuk u pëlqen filozofia e jetës me komedi fizike në pjesën e dytë, filmi mund të duket zhgënjim, siç ka qenë edhe për vetë Buster Keatonin. Por, sot, besoj që është goxha i mirë, argëtues, dhe kuptohet, nostalgjik për një kohë të pajetuar nga ne. Nota personale: 4/5