Duket se çdo recensim për filmat e Hitchcock fillon me “njëri ndër filmat më të nënvlerësuar…”
Kjo e Alfred Hitchcock është një karrierë aq e pasur sa edhe kur mendon se ke përfunduar me kryeveprat e tij, gjen tituj si “Shadow of a Doubt” edhe e sheh si të nënvlerësuar.
Te “Shadow of a Doubt,” Teresa Wright luan rolin e Çarlit, e cila është një mbesë që e admiron dajën (a axhën) e saj që e ka të njëjtin emër. E gëzuar nga vizita e tij në një vend të qetë të Kalifornisë, Çarli me të pritur dajën e saj, fillon të humb këtë hare kur vizitohet nga dy njerëz që vijnë për një sondazh gjoja, por në fakt janë detektivë.
Kjo shtyn mbesën të dyshojë që daja i saj është ai që po kërkohet nga autoritetet, një vrasës serik ende në arrati.
Për gati dy orë, kemi një luftë të brendshme të mbesës e cila provon të luftojë dyshimet e saja që do t’i rrënonin figurën e admiruar, më të dashur në familjen e saj. Është një sfidë sa morale, aq edhe emocionale, që vë në lajthitje dikë që rrezikon të rrënojë krejt ato që ka vlerësuar te heroi i saj.
Si zakonisht, misterit te filmat e Hitchcockut i shtohet edhe ajo zymtësia që sjellin filmat-noir, sidomos te filmat si ky që vijnë para ngjyrave në film.
“Shadow of a Doubt,” na tërheq në historinë e Çarlit duke na vendosur në pozitën e saj karshi sfidës që i shfaqet përballët për dajën e saj, duke mos na lënë të humbin moment deri në fund të filmit. Nota personale: 5/5

