Sherlock Holmes (2009)

Sherlock Holmes (2009)

Njëri nga karakteret më të veçanta në historinë e artit të shkruar, i transformuar në ekran të madh e të vogël si është më së miri ndër vite, gjithmonë ka provuar të veçohet nga adaptimet tjera simotra.

Adaptimi në filmin e vitit 2009 me skenar të Simon Kinberg, karriera e të cilit do të ishte edhe më e suksesshme pas këtij filmi, dhe në regji të Guy Ritchie i cili kthehej me titullin e dytë fenomenal (Rocknrolla ishte i pari) pas ndarjes nga Madonna, provon të bëjë një kombinim më ndryshe.

Karakteri i Sherlock Holmes është më komik, kryesisht për shkak të aktrimit dhe mimikës së Robert Downey Jr., dhe goxha joserioz. Disi është e çuditshme që pranë tij është Jude Law që në njëfarë mënyre është në të njëjtën vijë me RDR, duke prishur atë “idenë” që Dr. Watson është më shumë asistent i Sherlockut, se sa ortak.

Ndonëse të dy këta lihen në harresë pas serisë pasuese të BBC-së, Rachel McAdams mbetet Irene Adler më e mirë ndonjëherë në film a seri. Punë të shkëlqyeshme bën edhe Mark Strong në rolin e antagonistit, por gjithçka sa i përket aktrimit mbetet disi joserioze.

Joserioziteti vërehet më shumë me zymtësinë që ia jep filmit Guy Ritchie, ngjyrave, dhe ky kombinim – një aktrim komik, i një ngjarje deri diku serioze në detaje, me zymtësinë e fotografisë, e bën Sherlock Holmes një adaptim filmi që deri atëherë ka qenë ndër më të mirët.

Edhe sot, “Sherlock Holmes” mbetet një film i veçantë, me emra të mëdhenj të cilët bëjnë për merak atë që pritet nga ta para e mbrapa kamerave, duke bërë të pamundur misionin për adaptim më të mirë të Sherllokut në film nga dikush tjetër. Nota personale: 4/5