She’s the Man (2006)

She’s the Man (2006)

Një galaktikë që është 20 vite-drite larg nesh është duke shijuar një aktore që po dominon skenën, dhe e cila premton të ketë një karrierë të suksesshme dhe të pasur.

Gjynah sa do të zhgënjehen njëzet vite më vonë!

Është pikëlluese rënia e Amanda Bynes, dhe nuk ka dyshim që momentet kur yjet që kanë qenë pjesë e pjekjes sonë gjatë adoleshentes, humbin shkëlqimin kur karakteret kryesore të atyre momenteve marrin një kah që nuk e kemi menduar asnjëri.

Prandaj, “She’s the Man,” si shumica e filmave të Amanda Bynes, zgjon një nostalgji, e cila shoqërohet me mallëngjim dhe pikëllim në një masë, gjithmonë me hamendësimin për evolucionin në fjalë.

Sa interesante dhe e këndshme ka qenë tema – një vajzë, pjesë e ekipit të futbollit, vendos të zë vendin e vëllait të saj, i cili niset në Evropë në ndjekje të ëndrrave të tija, duke lënë hapësirë për të motrën të ndjekë ëndrrat e saja.

Kështu që Viola maskohet dhe zë vendin e vëllait në ekipin e futbollit të djemve, por ky plan nuk shkon aq lehtë, dhe në çdo hap shfaqen sfida që na mbajnë të lidhur me historinë se si do të provojë Viola të ruajë maskimin e saj.

Në krejt këtë, është edhe simpatia e saj, Djuk, i cili si të gjithë, mendon që po kalon kohë me shokun e tij të ngushtë, e jo motrën e tij.

Është interesante të shohim edhe Channing Tatumin në rol kryesor, atë të Djuk, e Vinnie Jones, Laura Ramsey, e të tjerë vijnë në rolet dytësore, por gjithmonë nën hijen e Amanda Bynes.

“She’s the Man” është një film i mirë, nostalgjik për ata që kanë përjetuar shpërthimin e këtij zhanri në ndërrimin e mileniumeve, një klasik i asaj periudhe. Nota personale: 3/5