Pas shpëtoi princeshën dhe e mori për vete, Shreku tash e ka radhën, qysh e do zakoni e adeti ani pse janë sinonime, duhet të vizitojë vjehrrinë!
E si çdo takim me vjehrrin e vjehrrën edhe ky nuk ka si shkon mirë. Në udhëtim për në Mbretërinë e Largët, ndonëse tash i martuar, Shreku nuk mund të heqë qafe Gomarin. Por, kundër kumbarës dhe planit të saj zullumqar ndaj Shrekut, ai gjen një aleat të ri, Maçokut me çizme, dhe krejt kjo luftë e ftohtë kthehet në temën kryesore të filmit.
Mike Myers e Eddie Murphy janë edhe më fantastik se në filmin e parë, me një harmoni skenike që të bën t’i duash dy karakteret kryesore në masë të madhe për shkak të zërit. Cameron Diaz është në nivel, por Antonio Banderas është goxha i mirë në rolin e maçokut.
Krejt këta bëhen shpesh fundi i shakave të pakripa, por gjithmonë plot humor dhe të qeshura, dhe ky humor e mban filmin të balancuar me historinë që e ndjek Shrekun, kryesisht nga kumbara.
Dhe pastaj, nevoja për hero!
Kjo skenë është ndër më të mirat në histori të filmit, dhe atë jo vetë të filmit të animuar, por kinematografisë, nga fotot lëvizëse të vëllezërve Lumiere deri te filmat e AI.
Muzika, përsëri muzika është ajo që i jep shkëlqimin e duhur Shrekut, dhe këtë e bën edhe më të mirë se filmi i parë, sidomos për shkak të freskisë që gjen në historinë që trajtohet e që tash ndihet edhe më origjinale.
I mrekullueshëm. Nota personale: 5/5

