Vazhdimi i katërt i Shrekut sjell një histori më emocionale nga perspektiva e Shrekut duke u mbështetur në temën e njërit nga filmat më të mirë të bërë ndonjëherë, “It’s a Wonderful Life,” larg historive të princeshave dhe mbretërive.
Pak më emocional, pak më serioz, Shreku tash është në kulmin e prindërimit, baba i tre fëmijëve, i lodhur, me nostalgji për kohërat e lashta kur problemin e vetëm i kishte fshatarët e dëbuar nga kështjella.
Kjo nostalgji e shtyn atë drejt një realiteti alternativ, aty ku ai nuk ka ekzistuar, dhe soji i tij janë të kërcënuar nga një mbret i pashpirt.
Emrat ikonik kthehen në zërimin e karaktereve kryesore – Mike Myers, Eddie Murphy, e Antonio Banderas – dhe kësaj liste i shtohen edhe disa emra interesant, të mirë, të cilët sadopak i japin shije filmit – Jane Lynch, Jon Hamm, Craig Robinson.
Vizualisht, filmi është edhe më i bukur se të kaluarit, komedia është në nivel, e historia mirë e trajtuar.
Të vetëdijshëm për lodhjen eventuale të shikuesve, edhe producentët ashiqare kanë preferuar një temë që përshtat këtë ndjenjë me atë të Shrekut, duke krijuar një afërsi me shikuesin, ndoshta më së shumti nga të katër filmat. Kjo bëhet edhe më e ndjeshme në botëkuptimin që merr ngjarja.
Nuk është aq i gjallë sa filmat e parë, por është një përfundim i mirë i këtij cikli të filmave për Shrek. Nota personale: 4/5

