Kur kqyr shumë seriale, edhe të përzihen ngjarjet, ashtu si më ka ndodhur me përmendjen e Jeff Danielist si baba të Kuperit te “Your Friends and Neighbours,” kur në fakt ka luajtur rolin e Rendit si baba i Xhimit në sezonin e tretë të “Shrinking.”

Në fakt, krejt ky sezon pothuajse zhvillohet në lidhjen e Xhimit, Marshallit të HIMYM, që ka me të atin, si kjo lidhje ndikon te lidhja e tij atësore me të bijën e cila bëhet gati të shkojë në studime, e njëkohësisht, figura që ai e sheh si baba, karakteri i Harrison Ford, që njëherë është koleg i tij mund të largohet nga jeta e tij për të shijuar pensionin dhe dashurinë e pleqërisë.

Harrison Ford ka luajtur sezonin e karrierës së tij, dhe mund të themi lirshëm që ky është sezoni i tij.

Polli tash është duke luftuar parkinsonin në një mënyrë inatçore – duke mos lejuar të heq dorë nga profesioni i tij, të cilin e sheh si një ilaç shtesë. Përballja e tij me sëmundjen, me pleqërinë, dhe me të mirat që i vijnë në rolin e Xhulit, dashurisë së tij të re, dhe pastaj lidhja e tij me të bijën, e bëjnë Harrison Fordin të japë njërën nga paraqitjet më të mira të karrierës së tij, në film a seriale.

Është i përsosur për rolin që ka.

E për më tepër, ardhja e Michael J. Fox, si një i prekur me parkinson, dhe qasjen komike, thumbuese që kanë ndaj kësaj sëmundje është ndër momentet më të ëmbla të këtij sezoni, kurdo që i kemi të dy në skenë.

Marrëdhënia prindërore kalon edhe te Liza dhe Dereku, të cilët përdorin Shanin si një “projekt” për të përmirësuar gabimet në djalin e tyre, sidomos Liza e cila si zakonisht nuk njeh kufij.

E në një fazë më ndryshe prindërimi janë çifti Brajan dhe Çarli, e krejt të kundërtën e ka Xhesika.

Që të gjithë aktorët janë kthyer në karaktere të dashura për neve, duke na shtyrë të përkrahim të gjithë, edhe atë të Brett Goldstein. Ndoshta tema që trajton na prekë pavetëdijshëm neve, me një ide që do të donim të përmirësonim edhe ne lëshimet e së kaluarës, apo të bëhemi edhe më të mirë në të ardhmen.

Është thjeshtia e ngjarjes, temës, butësia dhe çiltërsia e karaktereve që na bëjnë të ndihemi më afër tyre, si një pjesë e kësaj familjeje që është kthyer në jetë nga i mahnitshmi Bill Lawrence. Nota personale: 5/5