Mostrajtimi dhe injorimi i shëndetit mendor për shkak të tabusë dhe keqinterpretimit në rreth shpesh ka rezultuar me pasoja fatale, të cilat me një mjekim adekuat, me një trajtim shumë minor kanë mundur të zgjidhen pa asnjë problem.

Tash që filloi maji, do të kemi goxha muhabete për temën e shëndetit mendor si dhe nga një film në javë që në një mënyrë a tjetrën trajton këtë temë.

Te “Shutter Island,” dy mareshalë në vitin 1954 shkojnë në një ishull ku gjendet ndërtesa për trajtimin e personave të rrezikshëm me probleme mendore. Ky vendim vjen pasi një paciente në spital, Rejçëll Solando, është zhdukur nga aty, e konsiderohet e rrezikshme për të gjithë për faktin se ka fundosur tre fëmijët e saj.

Me të ardhur në ishull, Tedi dhe Çak, fillojnë hetimet, por disi hasin në një hezitim bashkëpunimin nga dy mjekët kryesorë, Xhoni dhe Xheremaja, derisa kolegu i tyre është larguar nga ishulli pak kohë më parë.

Leonardo DiCaprio luan rolin kryesor të Tedit, e Çak është Mark Ruffalo, me Ben Kingsley e Max von Sydow në rolet e mjekëve të lartpërmendur. Në rolet tjera vijnë Michelle Williams, Emily Mortimer, e Patricia Clarkson.

Aktrimi është në nivel, por historia dhe shtjellimi i saj është fantastik, ani pse bazohet në një roman, që nganjëherë është punë më e lehtë, e nganjëherë bëhet bërllok. Por, shumë lexues të romanit kanë lavdëruar punën e Martin Scoreses, i cili sikur del nga “fusha” e tij duke anuar më shumë nga Hitchocku me këtë film goxha psikologjik.

“Shutter Island,” është një film që ngacmon mendjen dhe psikologjinë tonë duke na mbajtur të lidhur me misterin e shpeshherë edhe të humbur në krejt këtë histori deri në momentin e fundit të filmit.

Fundi mund të jetë ndër më të veçantët ndonjëherë me një pyetje goxha filozofike që vjen në çastet e fundit të filmit duke e bërë ndoshta njërën nga finalet më marramendëse ndonjëherë. Nota personale: 5/5

p.s. kujdesuni për veten dhe shëndetin tuaj mendor, e provoni edhe tjerëve mos t’ua ngarkoni kokën pa nevojë!