Sleepless in Seattle (1993)

“Çka lyp njeri në Seattle ku gati tërë vitin bie shi?” hamendëson shoku më i ngushtë i Semit, derisa ky me të birin Xhonah lënë “qytetin e erës” për qytetin e shiut, ku Dr. Frejzer Kein do të dëgjojë problemet e qytetarëve për një dekadë.

Një vit pas zhvendosjes në Seattle, Xhonah telefonon një program nate ku kërkon ndihmë nga prezantuesja për babanë e tij të pikëlluar pas vdekjes së të ëmës. Historia e tij, dhe pastaj e Semit bëhet sensacion anembanë vendit duke shtyrë mijëra dëgjuese t’i shkruajnë letër, e në mesin e tyre edhe gazetarja Eni.

Ndërmjet popullaritetit të ri të fituar, Semi provon të vazhdojë jetën e përditshme ende në kërkim të gruas që i kujton dashurinë me bashkëshorten, dikë që i shkrin zemrën, e në këtë kontribut jep edhe Xhonah.

Në atë që është filmi më i mirë i treshes sime të preferuar romantike të 90tave – Nora Ephron, Meg Ryan, e Tom Hanks – skenari është jashtëzakonisht i këndshëm, e që tejkalohet nga aktrimi i dyshes kryesore, përfshirë edhe punën e Ross Malinger si Xhonah.

Filmat e mëdhenj gjithmonë kanë një ndërlidhje tjetër, dhe kur dëgjon “As Time Goes By,” të kujtohet Semi, pianisti i “Casablanca”-s, para se të rrëshqasësh tek drama më pak e njohur britanike me të njëjtin titull me Judi Dench në rolin kryesor, e deri te “Notting Hill” që ka njërin ndër albumet më të përkryera të këngëve në filma romancë.

Kolona zanore e bën shtjellimin e historisë së Semit, dhe magjepsjen e Enit me këtë histori, me momente të lezetshme komike të Xhonahit i cili vendos lumturinë e babait prioritet, në një romancë të pavdekshme, një klasik i dekadës së fundit të romancës së vërtetë në film, viteve ‘90ta, të cilat nuk mund të përmenden pa “Sleepless in Seattle.” Nota personale: 5/5