A ka qenë i nevojshëm një film për historinë e Han Solos para implikimit të tij në botën e Star Wars nga filmi i katërt?
Sigurisht që po, por ky film për mua mbetet ndër më të dobëtit në historinë e filmave të Star Wars, ani pse i ka disa faktorë të cilët më bëjnë t’i dua filmat e tyre – Ron Howard, Woody Harrelson, Khaleesi…
Historia fillon nja një dekadë para se Han Solo dhe Çubaka t’i bashkohen forcave rebele. Është një aventurë nëpër botën e nëntokës aty ku secili provon t’ia “lëshojë” secilit, edhe në këtë botë njoftohemi me shumë karaktere të reja, disa të pëlqyera, disa jo aq.
Ndoshta është ky zgjerim i tepërt ajo që më largon këtë film nga qejfi, ndoshta edhe pritjet e mia për treshen e lartpërmendur, por jam i sigurt se gjithkush do të ishte më i mirë në rolin e Han Solos se Alden Ehrenreich. Nuk është as afër sharmit që ka Harrison Ford në rolin e Solos, dhe besoj që kastingu do të duhej të bënte punë më të mirë.
Film që duhet të shikohet patjetër nga fansat e Star Wars, por jo patjetër duhet të pëlqehet. Nota personale: 2/5

