Steamboat Bill Jr. (1928)

Steamboat Bill Jr. (1928)

Buster Keaton ka shumë skena legjendare që sot vetëm një i çmendur do t’i bënte në film, edhe atë me montazh dhe stunt.

Në këtë film, që fillon lehtë, ëmbël, këndshëm, ku Keaton është Billi i Dytë që kthehet në shtëpi te babai i tij që është marinar anije lumi, turistike, dhe në rivalitet me një marinar tjetër që ka bërë një barkë, anije me avull edhe më të mirë, në të bijën e së cilës djali i Billit të Parë bie në dashuri, Buster Keaton ka njërën nga skenat më të rrezikshme në histori të kinematografisë.

Skena, për të mos ua prishur atyre që nuk e kanë parë, vjen pak para se të bëhet një orë e filmit, i cili në total ka 1 orë e 10 minuta, dhe më shumë është pjesë e finales së madhe, që mund të jenë disa nga 15 minutat më të famshëm në historinë e filmit të pa zë.

Por, komedia fizike e Keatonit, si zakonisht, shtrihet përgjatë gjithë filmit, dhe kjo finalja vetëm sa shtyn edhe disa nivele më lart cilësinë e saj. Prandaj, dikush mund ta sheh si pak “të mërzitshëm,” të ngadaltë filmin, por vetëm kur e shohin për së dyti!

Përkrah Buster Keaton, në rolin e babit të tij vjen Ernest Torrence me goxha punë të mirë, e Marion Byron është e dashura e tij, e bija e Tom McGuire, i cili vjen në rolin e marinarit rival, nëse mund t’i quajmë marinarë.

Filmi është fantastik, kuptohet, falë aktrimit të Buster Keaton, por edhe këta tjerët ndihmojnë në shtjellimin e historisë. Nota personale: 5/5