Sunset Boulevard (1950)

Sunset Boulevard (1950)

Në një vilë luksoze në Bulevardin Perëndimi në Los Anxhelos, vijnë policia pasi është raportuar se një burrë pa ndjenja është në pishinën e shtëpisë.

Të vdekurin po e shohim, por për ta mësuar kush është duhet të shkojmë gjashtë muaj më herët në kohë, kur edhe fillon ngjarja.

Duke ikur nga përmbaruesit, një skenarist i pafat, i pasuksesshëm përfundon në pallatin në fjalë, dhe aty takon yllin e filmave të pazëshëm, Norma Dezmondin, e cila me ardhjen e zërit në ekran ka humbur shkëlqimin e saj.

Këtë shkëlqim ajo është duke menduar e punuar për moti kohë ta rikthejë, me një skenar madhështor, dhe ky takim i papritur, duket se do të jetë fillimi i diçka të bukure.

Për dallim prej skenaristit në film, Billy Wilder ka qenë njëri ndër më të mirët në këtë profesion, dhe ky film është në mesin e titujve të paharruar për një qasje të veçantë ndaj Hollywoodit dhe dy epokave që ndanin kinematografinë.

Në krejt këtë ai përzien këtë dallim gjigant që prek një artiste që ende jeton për të kaluarën të kthehet, një burrë që provon të ndjek ëndrrën me një qasje makiaveliane, dhe një shërbyes besnik që ia tejkalon edhe qenit.

Nga film noir, në një film thumbues me komedi të zezë, në një dramë me nuanca krimi, “Sunset Boulevard” mbërthen një histori goxha mirë të shtjelluar.

Willaim Holden vjen në rolin e skenaristit, dhe ka një harmoni goxha të tensionuar në shumë aspekte me Gloria Swansonin që vjen në rolin e Normës. Që të dy kanë rolet ndër më të mirat në karrierën e tyre.

Ndërkohë Cecil DeMille, Buster Keaton, e Hedda Hopper parakalojnë si vetvetja, sa për t’i dhënë një vlerë edhe më të madhe filmit.

Sot mund të duket si shumë “hollywoodian,” i errët, larg temave aktuale, por për fansat e Billyt ende mbetet klasik i paharruar. Nota personale: 5/5