Shumë kohë më parë para se të kishte edhe qumësht pluhur për mace e lëre më për fëmijë, kur një nënë nuk kishte qumësht të mjaftueshëm për të ushqyer të porsalindurin e saj, ndihmohej nga një nënë tjetër që kishte mjaft edhe për fëmijën tjetër, varësisht situatës.
Shabani, i angazhuar si kadet në marinën otomane, një ditë pranon një letër nga gruaja që e kishte ushqyer me qumësht, dhe bashkë me letër edhe fotografinë e motrës së tij “qumështore.”
Për shkak se nuk di shkrim-lexim, ai i kërkon shokut të tij më të mirë, Ramazanit, që t’ia lexojë letrën. Gjatë këtij leximi, Ramazani dashurohet në motrën e Shabanit, dhe me të marr lejet për vizitë, Ramazani i kërkon Shabani të shkëmbejnë letrat që të shkojë të takojë motrën e Shabanit, por do të prezantohet si Shabani.
Nëna qumështore e Shabanit e ka një vëlla, Hysametinin, i cili njëkohësisht është komandanti i Shabanit, Ramazanit, edhe Bajramit. Kur komandanti takon Ramazanin, që në shtëpi e njohin si Shabani, duke përqafuar mbesën e tij, “nëna qumështore” Ramazanin, që tash e njohin si Shabani, ia prezanton vëllait të saj si Bajrami, e që në fakt është burri i motrës së Shabanit të vërtetë, dhe simpatisë së Ramazanit të vërtetë.
Tash, Ramazani për gjysmën e shtëpisë është Shabani, e për komandantin/dajën është Bajrami.
E komplikuar, hë?
Kështu i duket edhe Shabanit i cili lodhet me këtë shpjegim kur vjen për vizitë.
Pak më vonë vijnë Shabani dhe Bajrami i vërtetë, atëherë ju përzihet koka!
Kemal Sunal në rolin e Shabanit, Halit Akçatepe në rolin e Ramazanit, e Shener Shen në rolin e Hysametin bëjnë një trekëndësh që ndizet nga nëna e Shabanit e motra e komandantit, e papërsëritshmja Adile Nashit, në njërën nga komeditë më të famshme të periudhës së artë të kinematografisë turke.
Është ndër filmat që kam shikuar kushedi sa herë, e sigurisht që do ta shikojë edhe shumë herë. Përse jo, janë plot 80 minuta komedi e pandërprerë, fund e krye, me Gyljabanijen që të fuste ethet në fëmijëri.
Janë disa skena të mahnitshme me Shabanin që tmerron kujdestaren e shtëpisë, humbet nga motra e Bajramit, dhe zbulon gjuhën e shurdh-memecëve.
Është vepër superiore arti për fansat e komedisë turke dhe të Kemal Sunalit. Nota personale: 5/5
