Në filmin debutues të tij, François Truffaut sjell atë që jo shumë veta ndoshta e mendojnë kur së pari u shkon mendja te Parisi dhe Kulla e Ajfelit – si është jeta kur rritesh në Paris, larg asaj botës që e shohim në ekranet e vogla e të mëdha.
Në këtë film, ai sjell Antuanin, një fëmijë i ngulitur në të përditshme që ka një adoleshent fillestar si ai. Antuani shkon në shkollë, kthehet në shtëpi, dhe në mes të këtyre dy diktaturave të formave të ndryshme ai gjen nxitjen për t’u rebeluar.
Gjatë këtij rebelimi, një seri rrenash dhe veprash e shtyjnë këtë rebelim jashtë kontrollit, duke e futur Antuanin në luftë të hapur me botën e të rriturve. E kjo luftë shkon te kiameti, nga ku vjen edhe titulli i filmit si një frazë franceze.
Më e mira e këtij filmi është Parisi larg glamurit dhe luksit që e shohim kryesisht nëpër filma, sidomos të asaj kohe. Vjen një Paris i zymtë nga një palë sy më ndryshe.
Kjo shkëlqen edhe më shumë nga fakti se të ngjan në një dokumentar, sidomos falë “aktrimit” të Jean-Pierre Leaud në rolin e Antuanit, e që më shumë duket se është duke u xhiruar në jetë të përditshme se sa që është duke aktruar.
Por, si shumica e filmave francez të kësaj kohe, edhe këtu mungon kohështrirja e historisë, ngjarjeve, të cilat vijnë pa ndonjë rend linear, ashtu siç është edhe jeta e vetë Antuanit.
Film i mirë për fansat e filmave francez dhe Parisit. Në anën tjetër, film i thjeshtë për një adoleshent që provon të gjejë kuptim në botën që nuk e kupton. Nota personale: 3/5

