Shpeshherë, kur shikoj dokumentar a film lufte, apo edhe kur luajmë Age of Empires, përballem me atë pyetjen se çfarë e bind njeriun të shkojë në një betejë lufte, kur dihet se dikush do të vdesë, shumica bile.
A është shpresa që ai s’do të jetë në mesin e atyre që do të bien, apo bindja që ai do të shihet si hero, në emër të kauzës së të cilit nuk do të vjedhin ata që kanë qëndruar larg frontit, e familja e heroit s’do të përballet me vështirësi, e do të ketë trajtim e kujdes të plotë, pasi ata që kanë mbetur pas sigurisht se s’do të provojnë të mbijetojnë duke gënjyer se kanë qenë krahë me krahë me heroin dhe tash marrin pension si vetë ai?
Beteja e Alamos shihet si një ndër pikat kyçe në historinë e SHBA-ve, dhe për ata që nuk e dinë historinë e saj, s’do ta bëj “spoiler” sepse bashkë me të do të prishej edhe filmi.
Filmi është i gjatë, bajagi i gjatë! Më shumë se dy orë e gjysmë!
Për këtë e “fajësoj” rëndësinë e ngjarjes që është temë kryesore e filmit dhe papërvojën e John Wayne si regjisor.
Historia fillon shumë larg betejës, derisa karakteret kryesore mblidhen në rrethana lufte, të cilat i afrojnë pranë. John Wayne luan rolin kryesor të Dejvi Kroket, i shoqëruar me emra tjera që përshtaten në rolet e luftëtarëve dhe kolonelëve që portretizojnë.
Filmi ka nuanca të glorifikimit të tepruar në raste, por prapë, tentimi për të madhështuar këtë ngjarje nganjëherë i kalon kufijtë.
Para kamerave, John Wayne është si gjithmonë, i shkëlqyeshëm. Aktrimi nuk është problem, e as pjesa teknike nuk mbetet mbrapa, por ka një s’përputhje në krejt këtë film, kohë pas kohe zbrazëtira, dhe në fund një yrysh që kalon në ekstremin tjetër nga pjesa paraprake.
“The Alamo” është film i gjatë, jo më i miri artistikisht, jo diçka për të cilin do të lavdërohet e kujtohet John Wayne, por për bufët e historisë i përkryer për detajet që i sjellë dhe një ndërtim të mirë të historisë. Nota personale: 3/5

