Më në fund po e shohim atë që duhej ta shihnim shumë kohë më parë – Robert De Niron kundër Robert De Niros.

Në fakt, Robert De Niro duhet t’i luajë të gjithë shefat e familjeve kriminale amerikane, jo vetëm Vito Xhenovezen e Frank Kostellon. Për këtë të dytin, për shkak të Elvis Costellos, disi kam menduar të jetë njëfarë artisti a diçka, pasi nuk kanë qenë të rralla lidhjet e artistëve me nëntokën në Amerikën e pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos artistët me prejardhje italiane.

Filmi i bazuar në ngjarje të vërtetë, sjell dy karaktere të mafisë italiane, në një histori që do të supozonim se është klasike, e shtjelluar shumë herë nëpër film, por në fakt është diçka shumë më ndryshe nga tjerat.

Nuk kemi aq shumë krim, pasi edhe vetë historia fillon kur Vito dështon të eliminojë Frankun në fillim të filmit. Pjesa e mbetur është më shumë manovrime për pushtet e sundim, se sa luftë e përgjakur.

Pra, nuk është për ata që duan aksion, por as për ata që presin një lojë shahu me shumë kthesa të papritura.

Robert De Niro në njërin rol është i panjohur, e në të dy bënë punë të shkëlqyeshme. Pranë ka Grejsin pa Uillin, dhe një ansambël i aktorëve të rinj që çdo ditë po marrin role më të mëdha në filmat e këtyre temave.

Barry Levinson është në regji, e filmi nuk ka qenë sukses, por për mua ka qenë ndër më të mirët e vitit deri më tash, e sidomos në këtë zhanër.

“The Alto Knights” është për fansat e historisë dhe të Robert de Niros, në atë që mund të jetë filmi më i afërt me jetën reale kur si temë ka mafinë italiane. Nota personale: 4/5