Krejt e njohim Elliotin si “asi me kompjutera,” edhe këtu, te “The Amateur,” e ka një rol të ngjashëm në shoqëri.
Filmi fillon në ambient familjar me Rami Malek në rolin e Çarlit, si një punëtor që dekodon mesazhe për CIA-n. Gruaja e tij është Sarah (Rachel Brosnahan) e cila shumë shpejt humb jetën në një sulm terrorist në Londër, gjëra të cilat Çarli do të duhej t’i kishte parandaluar, sidomos për shkak të bashkëpunimit sekret me një burim anonim, larg nga agjencia.
Me t’ju kumtuar lajmi nga shefi i tij, Çarli e ka në mendje një gjë – hakmarrjen ndaj vrasësve të gruas, por për të nisur këtë “mision” atij i duhet një stërvitje profesionale. Këtë e gjen në formë shantazhi ndaj eprorëve të tij të cilët ngarkojnë me këtë detyrë Hendon (Laurence Fishburne).
Këtu fillon filmi, me Çarlin që provon të bëhet diçka që nuk është, por etja për hakmarrje ia humb qasjen me realitetin.
Filmi është pak i gjatë, përhapet shumë në drejtime të ndryshme, nuk ka baraspeshë ndërmjet ndërtimit të historisë dhe zhvillimit të ngjarjeve, por përfundimisht del një kombinim që nuk le shumëçka jashtë syve të shikuesit.
Bile, ka një finale goxha interesante, të papritur, që bën minutat që kemi kaluar duke shikuar filmit të vlejnë!
Aktrimi është në nivel – Rami Malek, Laurence Fishburne, Caitriona Balfe, e edhe Billi i “Mindhunter” (Holt McCallany) janë në element.
Është një triler i mirë, me fotografi e aktrim që përshtaten me ngjarjen. Ka pak momente të panevojshme që do të mund të shfrytëzoheshin në gjëra më të vlefshme në film, por nuk e prishin filmin. Nota personale: 4/5
