Në një ishull të largët në bregdetin e Uellsit jeton Çarlsi, një burrë tipik anglez, si nga pamja edhe nga veprat.
Larg nga bota, ai ka vendosur që të organizojë një shfaqje të gjysmës së duetit të tij të preferuar muzikor, jo aq i njohur, por tashmë i ndarë, dhe në krizë financiare.
Krizë nuk ka Çarlsi, i cili jeton një jetë të brishtë dhe ka ende paratë e fituara nga llotaria vite më parë, të cilat tash do t’i shkojnë Herbit, i cili do të përgatisë një koncert për Çarlsin.
Pas këtij koncerti, e kaluara dhe e tashmja do të gërshetohen gjersa jeta e Herbit dhe Çarlsit ndryshon rrënjësisht, duke prekur edhe karakteret tjera.
Filmi është i thjeshtë – një ishull me mot tipik britanik, plot gjelbërim, valë deti, dhe zymtësi! Karaktere të thjeshta që dëgjojnë vetëm ABBA-n e që kur të zbulosh ABBA-n nuk ke pse dëgjon grup tjetër, sepse janë më të mirët!
Tim Key e Tom Basden janë në karakteret kryesore si dhe skenaristë, që mund t’i njihni nëse keni shikuar seri jo aq të njohura britanike, përjashtuar After Life. Sian Clifford nga “Fleabag,” është në një rol tjetër. E pastaj…
Sa kohë ka kaluar që nuk e keni dëgjuar të mahnitshme Carey Mulligan të këndojë?
Njëra nga aktoret më të këndshme britanike i kthehet mikrofonit ndoshta për herë të parë pas “Inside Llewyn Davis,” të cilin nëse e keni shikuar, kjo baladë mund të jetë si një vazhdim por në anën tjetër të botës.
“The Ballad of Wallis Island,” nuk është film muzikor. Përkundrazi, është film familjar, romantik, dramë e lehtë, dhe ndër filmat më të mirë të vitit. Nota personale: 5/5

