Filmat për përvojat e pasluftës të luftëtarëve amerikan gjithnjë kanë qenë prezent. Dorën në zemër ka pasur tema të mjaftueshme për këta lloj filmash, por shumica kanë qenë të koncentruar në zhvillimin e luftës.
‘The Hurt Locker’ e ‘American Sniper’ janë të fundit që merren me jetën e luftëtarëve në paqen vijuese, por përfshin edhe shumë skena lufte. Më ndryshe është tek ‘The Best Years of Our Lives’ i William Wyler.
Filmi i bazuar në novelën e MacKinlay Kantor tregon për jetën e tre veteranëve të porsa kthyer nga fronti i Luftës së Dytë Botërore. Ngjarja nis të zhvillohet në momentin kur tre prekin aeroportin, duke mos përfshirë skena nga fronti. Janë tri karaktere nga shtresa të ndryshme shoqërore, jeta e të cilëve nuk është më e njëjta me atë të para-luftës. Al Stephenson kthehet në një pozitë të lartë bankare, por, dështon të përmbush nevojat për bashkë-luftëtarët e tyre për faj të rregullave të reja financiare. Fred Derry ka vështirë të gjej punë të rregullt, e mbi të gjitha të mbaj lidhjen martesore me bashkëshorten e tij e cila gjatë ‘viteve më të mira të jetëve të tyre’ (titulli i filmit) ka gjetur lumturinë në të tjerë. Derisa Homer Parrish është i pasigurt në dashurinë e të fejuarës së tij pasi ka humbur të dy duart në luftë.
Ky i fundit portretizohet nga Harold Russell, i cili vërtetë në jetën reale ka humbur të dy duart. Por, duke lënë anash këtë hendikep të tij, ai arrin të përçoj emocione të vërteta për dikë në pozitën e tij. Ka edhe harmoni të mirë skenike me aktoren Cathy O’Donnell që portretizon Wilman të fejuarën e tij.
Edhe Fredrich March i cili portretizon Al Stephenson nga një shtresë e lartë shoqërore ka problemet e tij, kryesisht morale. Përkundër rehatisë së tij profesionale, ai vjen tek një shpërthim që pickon shoqërinë dhe rendin kapitalist kundrejt veteranëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë. Ai gjithashtu ka probleme familjare me të bijën e cila dashurohet në bashkëluftëtarin e tij, Fred Derry.
Derry portretizohet nga Dana Andrews. Për dallim nga March dhe Russell për të cilët ky është projekti më i madh në karrierën e tyre, Andrews e kam parë edhe tek ‘Laura’ ku bën një punë të shkëlqyeshme, edhe shumë më të mirë. Fred Derry gjendet në mes të rendit shoqëror të Homerit dhe Alit. Ai në ardhje përballet me një mikpritje të ngrohtë nga e bija e Al Stephenson, diçka që nuk gjen tek bashkëshortja e tij. Gjithashtu pëson edhe krizën më të madhe ekzistenciale nga të tre. Por, si të gjithë kasti edhe ai bën një punë të mirë në aktrim.
Filmi është pak i gjatë. Puna e regjisë është e mirë, skenari ka mundur të jetë pak më i shkurtër. Të dyja këto, ngjashëm si aktori në rolin kryesor – Fredric March, dhe ai në rol dytësor – Harold Russell, janë shpërblyer me Oskar. Shtatë shpërblime me Oskar nuk janë dhënë pa nevojë. Është film i mirë, por jo më i miri i William Wyler për mua. Nota personale: 4/5

