The Bikeriders (2023)

The Bikeriders (2023)

Pse çikat e mira i duan djemtë e këqij, dhe pse djemtë e mirë i duan çikat e këqija?

“E ndreqi unë,” dhe mania për me ndreq diçka të prishur është në thelbin e qenies dhe universit, e që gjithmonë çalon pas “e prishi unë,” që është mania e të dëshmuarit që e mira është vetëm një iluzion tek të cilët në thelb është e mbjellë e keqja që pret vetëm një shkëndijë të vogël të pushtojë të mirën!

Kethi, me një jetë të rehatshme, joshet nga një motoçiklist vagabond i grupit Vandalët. Aq i vendosur është ai që të bëjë Kethin për vete, e pret te dera e saj për një ditë e një natë derisa i dashuri i saj të largohet. Dhe pas pesë muajve martohen.

Pse?

Sepse Kethi mendon që mund ta ndryshojë Benin, ta bëjë njeri të mirë, e ta ruajë derisa Vandalët nga një grup i entuziastëve të motoçikletave rrëshqasin në botën e krimit dhe dhunës.

Kundrejt Kethit, është shoku i Benit, Xhoni, i cili e sheh atë si krahun e tij të djathtë dhe pasardhësin në rolin e liderit të grupit. Dhe këtu kemi një situatë komplekse për Benin i cili mbetet ndërmjet dy zjarreve, ose si nëpër filmat vizatimorë, ndërmjet engjëllit dhe djallit.

Jodie Comer vjen në rolin kryesor të Kethit, Tom Hardy është Xhoni, dhe në mes të tyre, Austin Butler si Beni.

Bazuar në fotolibrin me të njëjtin titull të viteve 1968, filmi sjell sipërfaqësisht dhe në mënyrë të kufizuar në karakterin e Benit dhe Xhonit, nga rrëfimi i Kethit, një version fiktiv të historisë së një klubi motoçiklizmi.

Nuk ka diçka të veçantë në vete, për neve që nuk jemi fansa të motoçikletave, por dyshoj që edhe për ata mund të ketë diçka të ngjashme. Janë gati dy orë sa për të mos humbur kohë kot, ose për të shijuar aktrimin e treshes së lartpërmendur të aktorëve, të cilët megjithatë bëjnë një punë të mirë. Nota personale: 3/5