Pesëmbëdhjetë vite para se të ndryshonte jeta e të gjithë neve, të shtunën me 24 mars 1984, ndryshon jeta e pesë tinejxherëve, të ngujuar në një gjimnaz si dënim, të panjohur me njëri-tjetrin, dhe me vetëm zëvendës-drejtorin e shërbëtorin në krejt objektin.

Dhe ata e kanë një detyrë të vetme – të shkruajnë një ese për veten, kush janë, çka janë…

E për një tinejxher, i cili nuk e kupton veten, t’i tregojë botës se kush është, çka është, mund të jetë një ndër ngarkesat më të rënda.

Një vajzë në “gotikë,” tjetra prej “bukurosheve,” një rebel, një “i urtë,” dhe një “normal,” që nuk njihen me njëri-tjetrin, falë dallimeve mes tyre, mësojnë shumëçka për veten, dhe mbi të gjitha që kanë një armik të përbashkët – zëvendësdrejtorin, jetën, apo dikë tjetër – do të provojnë ta gjejnë nëpër filmin që shihet si pishtar i zhanrit të filmave për tinejxherët.

Ky zhanër është krijesë e John Hughes, i cili pos filmave simbol për tinejxherë, do të na sillte edhe seri filmike si National Lampoon, e filmat Home Alone, dhe shumë filma tjerë që e bëjnë njërin ndër njerëzit më të aftë si skenarist përgjatë jetës së tij të shkurtër.

Molly Ringwald, Ally Sheedy, Emilio Estevez e të tjerët vijnë në rolet kryesore, me një kasting që mishëron secilin karakter me aktorin që e portretizojnë, nga më i urti deri te shërbëtori. Ndonëse është film minimal – shkollë, shtatë veta, filmi në vete del të jetë goxha i thellë, për moshën e lartpërmendur sidomos, por do të ishte mirë të shohin edhe tjerët që të kuptojnë këtë shtresë të jetës.

The Breakfast Club mund të duket film i kotë, i mërzitshëm, i ngadaltë, por për një tinejxher në kërkim të “kuptimeve,” e vetvetes, është një dritare jete që nuk ia ofron askush në jetën reale, fatkeqësisht. Nota personale: 4/5