Janë disa filma që në dy orë përfshijnë më shumë ngjarje se një sezon prej tetë episodesh dhe 10 orësh sot.
Edhe ky film me Chuck Norris në rolin kryesor, e ka aktorin e njohur amerikan vetëm në pjesën e dytë të filmit. Dhe kur mbërrijmë tek kjo pjesë, kemi kaluar goxha shumëçka në film që deri në atë moment më shumë ka qenë si një parapërgatitje për të bëmat e Chuckit.
Inspiruar nga një ngjarje e ngjashme vetëm një vit para shfaqjes së filmit, ngjarja në film fillon pesë vite para, gjatë Revolucionit Iranian të vitit 1980 kur një grup i ushtarëve special provojnë të shpëtojnë pengjet nga Irani.
Njëri nga pjesëtarët e kësaj force është Skot MekKoj, i cili do të braktiste njësinë pas mospajtimeve me urdhërdhënësit në atë operacion.
Pesë vite më vonë, Fluturimi 282 nga Kajro për në Nju Jork rrëmbehet nga terroristë të armatosur libanezë pasi niset nga Athina, dhe shtyhet të kthehet në Bejrut. Me pasagjerët të zënë peng, tash është radha e njësisë Delta Froce, dhe vetë Skot MekKojit të kthehet për të përmirësuar lëshimet e së kaluarës.
Pra, e kemi pak Chuckun, pastaj kemi ngjarjen brenda aeroplanit, me karaktere dytësore që janë pjesë e të dyja palëve në aeroplan, dhe pasi kalon gjysma e filmit, kthehet Chuck, edhe atë në formë të plotë, ashtu siç e njohim, të pandalshëm.
Filmi është i mirë, për ata që u pëlqejnë ky zhanër i filmave aksion të viteve 80-90ta, e sidomos për fansat e Chuck Norrisit, dhe kush guxon të mos jetë fans i tij.
Në rol tjetër është edhe aktori i fjalëkryqeve, Lee Marvin, në rolin e kolonelit, derisa rolet tjera janë të përzgjedhura më shumë për t’u përshtatur me karakteret që aktrojnë se sa me përvojën e aktrimeve.
Ndoshta edhe kjo është një pjesë e nostalgjisë – nuk kemi deformim të racave e gjinive për qëllime politike, por origjinalitet në portretizimin e historisë.
“The Delta Force” mund të duket sikur një libër, shumë i gjatë, ndonëse mezi i kalon dy orë. Njëri ndër filmat më të mirë të Chuckit, por jo medoemos filmi i tij. Nota personale: 3/5

