The Departed (2006)

The Departed (2006)

Mund të themi lirshëm që ky është filmi më i mirë që ka bërë Martin Scorsese ndonjëherë, po mos ta dinim karrierën e tij të pasur. Prandaj, përkundër që është i përkryer në çdo aspekt, “The Departed” mbetet njëri ndër filmat më të mirë të Scorsese.

Filmi ndërton tension që shtjellohet në detaje, me përpikëri, ngadalë, pa u ngutur, pa harruar gjë, nga fillimi deri në fund. Dhe përgjatë gjithë kësaj aventure kemi momente që nga qetësia totale kalon në shpërthim shurdhues, e edhe më të çmendura janë kthesat, misteret, të papriturat që na vijnë nga skund.

Këtu vërehet dora e Martin Scorseses dhe aftësia e tij për të sjellë një film të përkryer para shikuesit.

Por, njëkohësisht vërehet edhe aktrimi fenomenal që kanë aktorët kryesorë, e që janë me bollëk nga elita e kinematografisë.

Jack Nicholson, Matt Damon, Leonardo DiCaprio, Mark Wahlberg, Martin Sheen, Ray Winstone, Alec Baldwin, e Vera Farmiga vijnë në rolet kryesore duke u dhënë jetë dhe finesë disa prej karaktereve më të mira në film gjatë dekadës së parë të këtij shekulli.

Ngjarja zhvillohet në Boston, ku një polic dhe një vagabond provojnë të kryejnë misionin e tyre e në krejt këtë përzihen bandat irlandeze që sundojnë nëntokën e Massachussetsit.

“The Departed,” ndonëse i inspiruar në një film jo-amerikan, mbetet ndër më të mirët nga era e dytë e mrekullive filmike që sillte Scorsese në vitet 2000ta, e ndoshta edhe më i miri. Nota personale: 5/5