Me kalimin e kohës njeriu fiton mjaft përvojë që t’i vërejë trajektoret varësisht nga shenjat që shfaq një njeri, përfshirë edhe mimikën e fytyrës. Kështu, i dallon njerëzit e mirë dhe të këqij, varësisht nga përvojat që ke pasur me ta, ndonëse këto perceptime e paragjykime mund të jenë goxha negative.
Denzel Washington vërehet prej aeroplanit që është një njeri i mirë. Rrjedhimisht ai është një aktor i mirë, e që këtë e dëshmojnë vite përvojë në ekran të madh.
Prandaj, karakteri i tij Robert MekKall mund të jetë ndoshta një mishërim i përkryer i personit që thuhet se është Denzel Washington, në një univers krejt ndryshe.
Tash, Roberti është në Sicili, ku pasi vret një gangster ai përfshihet në një botë krimi ku thjesht nuk mund të jetë indiferent. Indiferenca ndaj të keqes është përkrahje indirekte e saj, dhe një njeri i mirë, si MekKall nuk mund të shikojë botën e të mirën të vyshket nga e liga.
Dakota Fanning vjen në rolin e agjentes së CIA-s, derisa karakteret tjera janë banorë lokalë, që ndihmojnë në shtjellimin e historisë.
Historia e Robert MekKall do të vazhdojë edhe për së paku dy filma tjerë, por nuk dua të shohë dikë tjetër që do të portretizojë këtë karakter në rini, siç janë disa plane.
Denzel Washingtonin në rolin e një individi që sjell rregull e ligj në vendin e lënë pas dore duke ndihmuar ata në nevojë karshi kriminelëve, do të mund ta shoh edhe në shumë filma tjerë. Jam shumë i lumtur që më në fund e ka një franshizë e një rol “personal.” Nota personale: 4/5

