The Fall Guy (2024)

The Fall Guy (2024)

Shumë e kam mërzi të shoh prapaskenat e filmave, mënyrën si realizohen, e edhe lajme a informata për këtë proces. Sidomos tash me “gjelbërimin.” Mendoj se kjo i humb magjinë filmit si vepër arti dhe është një ndër arsyet që kam urryer të bëj film ndonjëherë!

Kjo përfshin edhe ata që xhirojnë skenat e rrezikshme për yjet e vërteta. Një temë e këtillë është edhe kjo te filmi “The Fall Guy,” ku Kollti zëvendëson Tomin, por pas një aksidenti ai lë edhe punën, edhe të dashurën e tij kameramane, Xhodin.

Xhodi, gati dy vite më vonë, është duke bërë regjinë e filmit të parë, dhe ka nevojë për Kolltin, për të cilën gjë e njofton agjentja e tij, Geill. Në mëdyshje t’i kthehet të kaluarës apo të vazhdojë punën e shërbëtorit në parking, Kollt mbetet në udhëkryq.

Ryan Gosling në rolin e Kollt e Emily Blunt në rolin e Xhodit kanë një harmoni skenike fantastike, që është ndoshta pjesa më e mirë e filmit. Aaron Taylor-Johnson e Hannah Waddingham vijnë në dy rolet tjera ndihmëse, sa për të “ndezur” zhvillimin e temës kryesore.

E pastaj janë ato pjesët teknike që i përkasin zanatit të një “zëvendësuesi” në film, që veç sa dëshmojnë madhështinë që kanë pasur Charlie Chaplin, e mbi të gjitha Buster Keaton, legjendat e filmave pa zë dhe mimikës fantastike që bëjnë para kamerës.

Ndërkohë, The Fall Guy mbetet një film mesatar, më shumë për fansat e Goslingut e Blunt, edhe ndoshta fansat e “Mad Max” për shkak të ambientit. Nota personale: 3/5