Filmat e hershëm të The Rock kanë qenë më të mirë, ndoshta se nuk ka ditur të aktrojë aq mirë, dhe janë dukur më shumë si reality-show për jetën e tij reale.
Te “The Game Plan,” Dwayne Johnson është një kuarterbek i njohur i cili jeton jetën e përkryer të një beqari të stilit të Charlie Harper – ka gjithçka që do të ëndërronte një fëmijë.
Dhe mbi krejt këto del të ketë edhe një fëmijë, një tetëvjeçare e cila i vjen në apartamentin e tij luksoz duke i çekuilibruar krejt jetën e tij.
Madison Pettis, e cila luan rolin e Pejton, të bijës së Xhoelit, është një fëmijë i ëmbël, i këndshëm, që bën një punë të mrekullueshme në rolin që i jepet, duke injoruar krejt jetën dhe idetë e një gjiganti përballë saj që është The Rock. Disi shpërfill krejt rrethanat dhe kjo e bën edhe më të dashur për shikuesit.
Por, si gjithmonë në këso filmash, ngjarja merr kah tjetër, më emocional, e edhe këtu ndodh e njëjta.
Kyra Sedgwick si agjentja e Xhoelit, dhe Roselyn Sanchez si mësuesja e baletit janë dy karaktere që i ndihmojnë shtjellimit të historisë, në kah të kundërt dhe e bëjnë edhe më të mirë këtë film familjar. Por, aktrimi i Pettis dhe The Rock, harmonia që kanë është më e mira e këtij filmi. Nota personale: 3/5

