Problemi më i madh i njeriut, dhe burimi i shumicës së problemeve tjera është mospërballja e tij me vetveten!
Injorimi i shumicës së emocioneve, përfshirë edhe pendimin, është një lloj injorance që mund të shkaktojë më shumë dhimbje se sa përballja me pendimet se çfarë do të ishte sikur të bëhej vazhdimi i tretë i Godfather.
Njëjtë sikur një vajzë e cila iu ka lënë përshtypje të mrekullueshme një kohë më parë, e cila vite më pas iu bie ndërmend, dhe mendoni se mund t’ia dilni mbarë, por e shihni se gjithçka e ka kohën dhe vendin e vet në historinë tonë që e shkruajmë në këtë jetë.
Kështu mund të përshkruajmë vazhdimin e tretë të Godfather, i cili në tentim për të arritur madhështinë e dy filmave të parë, provon të bëj diçka edhe më të madhe, të jashtëzakonshme, duke humbur rrugën, për të çuar dëm një aktrim fenomenal të aktorëve në rolet kryesore, nisur nga Al Pacino e Diane Keaton deri te Andy Garcia e edhe Sofia Coppola, e cila ashiqare më e mirë është mbrapa kamerës siç është dëshmuar vite më vonë.
The Godfather: Part III bie pre e suksesit të vet, pasi në vete nuk është film i keq. Pjesët teknike janë në të njëjtin nivel me dy të parat, edhe historia është në nivel, mirë e ndërlidhur me të kaluarën, porse ndjenja e inferioritetit ndaj atyre dy veprave shtyn në ekstreme që e bëjnë të shihet si dështim në atë krahasim.
Është njerëzore, varësisht prej cilës anë të trurit dominon jetën tonë, të shohim “ëndrra” se çfarë do të bënin Mia dhe Marisa në pension, apo deri në ç’moshë Mariçui do të ngiste biçikletën, sepse lidhemi me karakteret e veprave të dashura artistike si Godfather, si dhe atyre që kanë shënuar fëmijërinë tonë, dy telenovelat e lartpërmendura.
E fantazia nuk përshtatet me atë që kanë fantazuar e edhe kthyer në realitet filmik autorët e atyre veprave. Këtu është një tjetër problem i vazhdimit të tretë të Godfather. Ndoshta më mirë mos të ishte bërë fare, e të kishte mbetur vetëm “çka nëse,” se të njollos pak historinë fillestare.
Nuk është ajo që e presim, dhe si rezultat për ne mbetet një film i mirë, e për fansat e flaktë, një ofendim ndoshta. Për mua është një film i mirë, i denjë për të vazhduar historinë, artistikisht i bukur, pak në ekstrem, por shumë larg paraardhësve. Nota personale: 4/5

