Njëra ndër meloditë më të njohura në film, që e bën Ennio Morriconen legjendën që është, tregon më së miri temën e këtij filmi, dhe ndoshta krejt zhanrit.
“Shpageta perëndimore,” ngjashëm si filmi që përmbledh historinë e tri personazheve me mbiemra të kundërt, është një kombinim i dy ekstremeve të filmit.
Ashtu si kënga që nis me tinguj serioz, e pastaj vijon si me të qeshura, kështu është ky film, dhe krejt zhanri, por më shumë se të qeshura, janë momente komike që ndodhin përgjatë tri orëve.
Për tri orë, i miri dhe i shëmtuari provojnë të mashtrojnë banorët lokal nëpër Perëndimin e Egër në kohën e Luftës Civile Amerikane, ndërkohë i keqi kërkon thesarin i cili e shtyn të bëjë krime të paimagjinueshme, prej nga edhe bëhet “i keq.”
Më e mira e këtij filmi është që ka pak muhabet, më shumë muzikë, aksion fantastik të kaubojve, dhe shumë kapje të fytyrave nga afër.
Tema e filmit, ndonëse përputhet në fund, me njërën ndër skenat më të mira në histori të kinemasë, nuk luan aq rol të rëndësishëm sa sekuencat që “devijojnë” në momente shpesh të parëndësishme për temën kryesore, por goxha argëtuese për shikuesin.
Është kjo pjesa e “shpagetave” kur protagonisti fshinë kapelat e njerëzve me pushkë, dhe ka sy-skifteri, me tjerët që nuk shohin sa një lakuriq, e që gjithmonë shpëton i paprekur nga situata të rënda, që e bëjnë këtë film më “përtokë” dhe më të afërt me shikuesin.
Por, mbi të gjitha, është një qasje e veçantë e regjisë që e bën “The Good, the Bad, and the Ugly,” një ndër filmat më të veçantë të realizuar ndonjëherë, që i jep edhe zhanrit një vlerë më të madhe se sa ato që përmenda në paragrafin paraprak.
Aktrimi është i shkëlqyeshëm marr parasysh që kemi më shumë mimikë fytyre e gjeste se sa monologë e dialogë. Clint Eastwood, Eli Wallach, e Lee Van Cleef janë aktorët në rolet kryesore, por edhe tjerët kryejnë punën si duhet. E gjithmonë, është Sergio Leone me punën fantastike në kamerë që e bën këtë film shembullor, bashkë me muzikën e Morricones.
Është goxha i gjatë për audiencën e sotme, por është si një faqe e abetares së kinemasë, pa të cilin film kënaqësia e shikuesit gjithmonë do të ketë një zbrazëti. Nota personale: 5/5

