Me përvojë të madhe, dy snajperistë elitarë në kënde të kundërta të globit marrin mision të ngjashëm, ku duhet të udhëtojnë në një vend sekret ku duhet të ruajnë një grykë të thellë nga anë të kundërta, për një vit, pa asnjë kontakt me botën.
Por, Levi dhe Drasa fillojnë të komunikojnë nga largësia me pankarta e armët e tyre, dhe në vetmi të tillë, kur s’ka asnjë njeri në jetë, sigurisht që krijojnë ndjenja për njëri-tjetrin. Megjithatë në mes kanë një grykë të thellë që mban sekrete të tmerrshme.
Deri këtu filmi dhe historia është e mirë, për qejfin tim. Miles Teller në njërën anë, Anya Taylor-Joy në tjetrën, pa asnjë fjalë, aty-këtu ndonjë e shtënë, dhe tmerri i grykës me krejt sekretet që fsheh brenda.
Janë dy ekstreme të historisë dhe aksionit, ngjashëm si sekretet që krijojnë një mister në momentin që Levi ndërron paraardhësin e tij. Kjo e bën filmin të ndërtojë një pritje para “shpërthimit” që ndonëse është i pritur nga momenti i parë, unë disi nuk e vërejta para syve.
Është pak i gjatë, dhe kjo për shkak se tenton të bëhet horror, mister, drithërues, aksion, e romancë. Diku në mes e humb rrugën, dhe mbetet një film me dy aktorë më të mirë se skenari. Ose së paku më të bukur, ndonëse unë nuk po e shoh këtë. Nota personale: 3/5

